Shtohet numri i të prekurve nga fruthi, ISHP apel të gjithë prindërve

Në një informacion të përditësuar, Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar se deri në 19 shkurt, për vitin 2019 në Shqipëri janë 91 persona të prekur nga fruthi.

Sipas ISHP, grupmosha më e prekur është nën 2 vjeç. Tirana ka numrin më të lartë të rasteve me 55 të tilla (60.4%), Lezha 10 raste (11%), Durrësi 7 raste(8%).

ISHP bën me dije se për shkak se kjo periudhë e vitit sjell rritje të numrit të rasteve të infeksioneve respiratore dhe gripit, bëhet akoma më i rëndësishëm vaksinimi, për të parandaluar përhapjen e fruthit.

Njoftohen të gjithë prindërit se vazhdon vaksinimi i fëmijëve nga mosha 1 deri në 5 vjeç sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit. Po ashtu edhe vaksinime të tjera që i përkasin fëmijëve të prapambetur në vaksinim, të rriturve të pavaksinuar ose me një dozë, komunitetit rom, si edhe të gjithë personave që kanë qenë në kontakt me persona të dyshuar apo të sëmurë me fruth.