Popullsia e Shqipërisë/ Shtohen pensionistët, ikin 20-vjeçarët

Popullsia e Shqipërisë përveçse po pakësohet po ndryshon me shpejtësi strukturën e saj në disfavor të moshave të reja, teksa popullsia në moshë pensioni po rritet me shpejtësi, sipas analizës që bën revista “Monitor”.

Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT në janar të këtij viti popullsia në grupmoshën 0-24 vjeç ra me mbi 31 mijë persona në raport me vitin 2018. Rënia më e madhe i përket grupmoshës 15-24 vjeç me më shumë se 17 mijë persona. Rrudhja e popullsisë në këtë grup moshë lidhet edhe me flukset e larta të emigracionit dhe lindjet më të pakta prej vitit 1997. Në këtë periudhe Shqipëria përjetoi një eksod masiv për shkak të trazirave civile.

Ndryshimet e popullsisë në raport me 2018 tregojnë se ka një rritje të ndjeshme të popullsisë mbi moshën 55 vjeç me rreth 30 mijë persona më shumë se një vit më parë, shkruan revista Monitor.

Piramida e popullsisë në vitin 2011 sipas të dhënave të censit kishte një bazë më të gjerë se kjo e vitit 2019, çka do të thotë se popullsia në moshë të re 0-24 vjeç ishte më e madhe se sa aktualisht, teksa shihet se në tetë vite piramida e popullsisë po merr gjithnjë e formën e një veze duke ngushtuar bazën dhe duke zgjeruar në majë.