“Nisëm sot rrugëtimin e shpresës”, Lulzim Basha pa mandat deputeti: Fati evropian i vendit do bëhet realitet

Me thirrjet “liri-demokraci” dhe “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, Lulzim Basha mbajti fjalimin e parë pa mandat deputeti nga selia e Partisë Demokratike. Duke iu drejtuar qytetarëve të shumtë, Basha tha se opozita ka nisur sot rrugëtimin e shpresës që nuk do të ndalet deri sa fati evropian i vendit të bëhet realitet.

“Zonja dhe zotërinj, vellezër dhe motra, misionar të shpresës së Shqipërisë. Opozita parlamentare sot dorëzoi mandatet dhe i vuri kyçin Parlamentit të krimit. Prej ditës së sotme ne jemi qytetarë të thjeshtë në krahun tuaj, me ju dhe për ju. Nisëm sot një rrugëtim shpresë, i cili nuk do të ndalet deri sa fati evropian i këtij vendi të bëhet realitet. Derisa ta largojmë kryehajdutin dhe qeverinë e tij kriminale. Le ta shpërndajmë këtë energji hyjnore që mund të burojë vetëm nga shpirti i një rrace fisnike evropiane siç jemi ne, në çdo cep të Shqipërisë sonë të dashur”, tha kryeopoztari.

Basha theksoi se Shqipëria do të ketë një të ardhme që nuk i takon kriminelëve dhe oligarkëve, por shqiptarëve të ndershëm.

“Po miqtë e mi, Shqipëria do të ketë një të ardhme dhe kjo e ardhme nuk i takon kriminelëve, Niçëve, Habilajve dhe Shullazëve, nuk i takon narko-trafikantëve, oligrakëve hajdutë që kanë zhvatur xhepat tuaja. Nuk i takon njeriut që e solli këtë të zezë, Edi Ramës dhe bandës së tij hajdute. Shqipëria do të ketë një të ardhme dhe kjo të do të jetë e ardhmja e fëmijëve tuaj, e njerëzve të ndershëm të këtij të vendit që duan t’i japin fund pandëshkueshmërisë. Së bashku me vullnetin tuaj, me zgjedhje evropiane do të kemi një qeveri të popullit, për popullin dhe nga populli. Shqiëpria do të ketë një të ardhme, derën e Evropës do ta hapim, ky është mesazhi i popullit të bashkuar si asnjëherë më parë”, u shpreh Basha.

Ish-deputetët e opozitës dorëzuan zyrtarisht mandatet pas protestës së organizuar përpara Parlamentit. Me një organizim paqësor dhe pa incidente, opozitarët kërkuan krijimin e një qeverie tranzitore, e cila do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.